
2014 kld
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, zhvilloi sot në datë 05.12.2014, mbledhjen plenare, në rendin e ditës të së cilës ishin shqyrtimi i çështjeve të mbartura nga mbledhja paraardhëse e datës 17.10.2014.
Bazuar në ligjin nr. 152/2013, "Për nëpunësin civil" dhe VKM nr. 143, datë 12.3.2014 "Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të perudhës së provës, të lëvizjes paralele, e të ngritjes në detyrë për nënpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese", Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shpall proçedurën e pranimit në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive, nëpërmjet konkurimit të hapur, si mëposhtë:
Bazuar në ligjin nr. 152/2013, "Për nëpunësin civil" dhe VKM nr. 143, datë 12.3.2014 "Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të perudhës së provës, të lëvizjes paralele, e të ngritjes në detyrë për nënpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese", Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shpall proçedurën e pranimit në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive, nëpërmjet konkurimit të hapur, si mëposhtë:
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot datë 17.10.2014, mbledhjen e radhës e cila nisi me një mesazh të Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, kundër çdo ndërhyrjeve të pushtetit legjislativ në veprimtarinë e KLD-së.
Të nderuar anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar,
Së pari, përpara se të vijoj me sqarimet e mija rreth konstatimeve paraprake që ju keni hasur gjatë punës tuaj, dëshëroj të paraqes një kërkesë paraprake procedurale të cilën mendojmë se ju duhet ta vlerësoni përpara se të vijohet me themelin e konstatimeve. Konkretisht,
Unë dhe z. Lelçaj sot akuzohemi për shkelje të ligjit që kanë të bëjnë kryesisht me veprimtarinë e KLD si një organ kushtetues kolegjial. Po kërkohet shkarkimi ynë sepse kemi vepruar në një mënyrë të caktuar kryesisht të detyruar nga situata në të cilën ishte sistemi gjyqësor dhe vetë KLD në momentin e marrjes së detyrës nga ana jonë. Ne sot mendojmë se po akuzohemi për një punë që në fakt KLD-të paraardhëse nuk e kanë bërë, megjithë detyrimin ligjor që kanë patur.
Në këtë kontekst nuk mund të anashkalojmë faktin se pikërisht Kryetari i këtij komisioni të nderuar, z. Armando Subashi ka qenë anëtar për 5 vite i KLD, konkretisht nga data 20.5.2004 deri në datë 11.06.2009.
Gjatë kësaj periudhe janë bërë nga KLD shumë emërime e transferime apo edhe promovime gjyqtarësh, përfshi këtu edhe emërime të Drejtuesve të Gjykatave, në fakt me një procedurë aspak transparente dhe të pakrahasushme me procedurën e ndjekur nga KLD aktuale, për të cilën po akuzohemi ne. Konkretisht:
- Nuk është bërë asnjë vlerësim etiko-profesional i gjyqtarëve, megjithëse ka qënë detyrim ligjor. (referou procesverbaleve të mbledhjeve së datës 20.5.2004, datës 27.9.2005, datës 11.11.2005, dates 09.2.2006, datës 28.3.2006, datës 18.10.2006, datës 18.4.2007, datës 21.4.2008, datës 28.5.2008 dhe datës 08.7.2009 )
- Ka pasur shumë raste kur gjykatat kanë qënë pa kryetar të emëruar për disa vite rresht. (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 20.5.2004 ku z. Ilir Panda e pohon dicka të tillë; procesverbalit të datës 11.11.2005 ku z. Panda pohon se gjykata e rrethit Durrës ka mbi dy vjet që drejtohet nga zëvendëskryetari i saj si edhe procesverbalit të datës 09.2.2006 ku z. Sokol Çomo në fjalën e tij e konfirmon këtë fakt).
- Nuk ka funksionuar Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave për Gjyqtarë, megjithëse ishte gjithashtu një detyrim ligjor. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 09.2.2006 ku z. Sokol Çomo në fjalën e tij e konfirmon këtë fakt).
- Janë transferuar gjyqtarë në shumë raste të evidentuara pa u bërë asnjë verifikim nga asnjë lloj komisioni. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 27.9.2005 ku rezulton se zoti Subashi duke qenë anëtar KLD, konkuron për tu transferuar (promovuar) në gjykatën e rrethit Durrës por nuk fiton; procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 që i përket vendimit të KLD nr.189, 28.3.2006 për transferimin e 5 (pesë) gjyqtarëve; -----)
- Janë promovuar gjyqtarë nga gjykata e shkallës së parë në ato të apeleve në shumë raste të evidentuara, pa u bërë asnjë lloj vlerësimi apo pikëzimi paraprak i kandidaturave. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 që i përket vendimit të KLD nr.189, 28.3.2006 për promovimin e 3 gjyqtarëve).
- Janë emëruar kryetarë gjykatash të paktën në 34 raste të evidentuara, pa u bërë as edhe një vlerësim etiko-profesional për ta. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 20.5.2004 ku janë emëruar kryetarët në 4 raste; procesverbalit të mbledhjes së datës 11.11.2005 ku është zgjedhur kryetari i gjykatës së rrethit Durrës pa u paraqitur madje as kërkesa formale me shkrim nga ndonjë kandidat; procesverbalit të datës 18.10.2006 ku janë emëruar 4 katër kryetarë; procesverbalit të mbledhjes datë 18.4.2007 ku janë emëruar 2 dy kryetarë; procesverbalit të mbledhjes 21.4.2008 ku janë emëruar 17 kryetarë; procesverbalit të mbledhjes datë 28.5.2008 ku janë emëruar 5 kryetarë; procesverbalit të datës 08.7.2009 ku është emëruar një kryetar.).
- Nuk është bërë asnjëhërë verifikimi i konfliktit të interesit të antarit të ri të zgjedhur në momentin kur KLD ka verifikuar mandatin e tij. (Referou procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 të cilës i përket vendimi i KLD nr.189, 28.3.2006, ku është verifikuar mandati i z. Artan Gjermeni dhe zj. Altina Xhoxhaj).
- Është konstatuar një rast kur megjithëse anëtar i KLD, z. Subashi ka konkuruar për t'u transferuar në një gjykatë karriere, konkretisht në gjykatën e Durrësit, pa asnjë procedurë vlerësimi paraprak nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatuyrave për gjyqtarë. Pra duke pasur një konflikt interesi, të paktën në dukje. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 27.9.2005 ku rezulton se zoti Subashi konkuron për tu transferuar në gjykatën e rrethit Durrës por nuk fiton).
- Është konstatuar një rast kur KLD ka emëruar pa asnjë konkurim kryetar gjykate një anëtarin e tij. (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 20.5.2004 ku është zgjedhur Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër).
- Është vonuar për shumë kohë emërimi i studentëve që kanë përfunduar shkollën e magjistraturës (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 24.12.2008 ku është rrëzuar dhe shtyrë propozimi i Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e 10 vendeve vakant për magjistratët që kanë mbaruar studimet në vitin 2008. Kryesisht fq 49, 65, 97, 98 dhe 102).
- Janë shpallur vende vakante në gjykata pa propozimin e Ministrit të Drejtësisë (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 24.12.2008 ku janë shpallur dy vende vakante në gjykatën e Apelit Tiranë, pa propozimin e Ministrit. Fq 103 – 106).
Në këto kushte, duke i vlerësuar se veprimet apo mosveprimet për të cilat ne po akuzohemi sot, janë pasojë direkte e veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga KLD e mëparshme dhe për rrjedhojë edhe nga z. Subashi, mendojmë që anëtarësia e z. Subashi në këtë komision hetimor është e papërshtatshme dhe vjen në kundërshtim me një nga elementët thelbësor të procesit të rregullt ligjor, që është ai i paanësisë së gjykimit.
Po ashtu: është një fakt i ditur botërisht se edhe anëtari tjetër i këtij komisioni të nderuar, z. Spartak Braho është në fakt në të njëjtat kushte. Kjo për arësye se z. Braho para disa muajve dhe konkretisht në korrik të këtij viti në thëniet e tij publike në media ka shfaqur bindjen e tij personale për personin tim. (shiko: gazeta Koha Jonë, datë 12.7.2014, fq2.); (gazeta "Sot", datë 12.7.2014 fq.1 dhe vijuese); (gazeta "Tema", datë 12.7.2014); (gazeta "shekulli" datë 12.7.2014); (gazeta "shqip" po ajo datë) etj. Pra z. Braho ka dhënë publikisht mendimin e tij negativ për z. Çefa të cilin po e gjykon sot, cka nuk garanton paanësinë e tij në këtë process hetimor parlamentar.
Për këto arësye, duke pasur bindjen se dy anëtarët e sipërpërmendur të këtij komisioni hetimor nuk plotësojnë kushtin e "paanësisë" në gjykimin e tyre ndaj nesh, kusht që është një kërkesë thelbësore e procesit të rregullt ligjor, kërkojmë përjashtimin e tyre nga ky komision hetimor.
Kjo kërkesë mbështetet në nenin 42 të Kushtetutës, që garanton parimin e procesit të rregullt ligjor ; në nenin 4 pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit", që përcaktojnë se Komisionet Hetimore funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe se zbatojnë rregullat e Kodit të Procedurës Penale; si dhe në nenet 15, 17 shkronjat e) dhe ë) të Kodit të Procedurs Penale, që urdhërojnë largimin nga procedimi të subjektit, që ka marrë pjesë më parë në procedim dhe që gjendet në kushte serioze njëanshmërie. Kjo kërkesë bazohet gjithashtu edhe në jurisprudencën e bollshme të Gjykatës tonë Kushtetuese dhe konkretisht në vendimet 18/2003, 29/2006, 20/2007 dhe 12/2008.
Së dyti: Përsa i përket vendimmarrjeve konkrete, dëshëroj t'ju siguroj juve dhe të gjithë opinionin publik se veprimtaria jonë në KLD, jo vetëm në vendimmarrjet objekt diskutimi, por edhe në çdo rast tjetër ka qenë kurdoherë e bazuar në Kushtetutën e Republikës dhe në legjislacionin përkatës që rregullon veprimtarinë e KLD. Konkretisht :
1- Zgjedhja e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.
Problematika e hasur për ecurinë e shkollës së Magjistraturës dhe e parashtruar shpeshherë nëpërmjet diskutimeve të anëtarëve gjatë seancave plenare të KLD, ka vënë në dukje nevojën e ndryshimit të drejtorit të asaj shkolle. Kryesisht anëtarët gjyqtarë të KLD kanë dhënë në bllok vërejtjet e tyre ndaj drejtimit të asaj shkolle sidomos në organizimet e trainimeve vazhduese. Kjo besoj është konstatuar edhe nga ana e komisionit hetimor gjatë leximit të procesverbaleve të atyre mbledhjeve.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë referuar Kushtetutës dhe ligjit nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, kanë votuar në caktimin e z.Neshat Fana Drejtor të Shkollës së Magjistraturës. Nga KLD është gjykuar se z. Fana ka qënë një kandidaturë e cila përveçse plotësonte më së miri kriteret formale të ligjit, ka pasur edhe një eksperiecë mjaft të pasur në këtë fushë, pikërisht për shkak të qënies anëtar i KLD. Nuk është parashikuar për asnjë moment në asnjë ligj ndalim për një veprim të tillë. Sic ka konstatuar edhe Komisioni Hetimor, alternativat për zgjedhjen e drejtorit të asaj shkolle kanë qenë të limituara, për shkak të numrit të pakët të konkurentëve.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë referuar Kushtetutës dhe ligjit nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, kanë votuar në caktimin e z.Gjin Gjoni anëtar të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës apo dhe në emërimin e Këshilli ka proceduar me zëvendësimin e gjyqtarit Sokol Binaj nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, për shkak të qëndrimeve të tij jo etike të relatuara në KLD edhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, njëherazi edhe Kryetar i Bordit Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. (shih procesverbalin e mbledhjes së datës 05.7.2013). Nuk është parashikuar për asnjë moment në asnjë ligj ndalimi i KLD për të zgjedhur anëtar të Këshillit Drejtues të SHM një anëtar të tijin, përkundrazi kjo zgjedhje është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe të ligjit organik që i kanë dhënë KLD rrolin e organit të qeverisjes së sistemit gjyqësor.
Shkarkimi i Z. Binaj si anëtar i Këshillit Drejtues të SHM është bërë për faktin se ai përdori publikisht shprehje shumë fyese ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhur me procesin e vendimmarrjes për rrëzimin e kandidaturës së zj. Marjana Semini. Një sjellje e tillë është konsideruar dhe konsiderohet krejtësisht e papranueshme për një gjyqtar i cili është në kryerje të nje funksioni ligjor sic është qënia anëtar i Këshillit Drejtues të SHM, ku një ndër principet kryesore që u mësohet studentëve aty është pikërisht rëndësia që ka sjellja etike e një gjyqtari jo vetëm gjatë ushtrimit të funksionit publik, por edhe në jetën e tij private. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka asnjë detyrim të argumentojë në vendimin e tij arësyet së përse një kandidaturë rrëzohet, kjo pasi është në diskrecionin e secilit anëtar që voton në mënyrë të pavarur të bazohet në një arësye të caktuar për kryerjen ose jo të një veprimi apo të një tagri të vendosur nga Kushtetuta ose nga ligji. Nuk është e vëtrtetë që z. Binaj ka shkëmbyer replika vetëm me z. Çefa, ai ka replikuar me shumë anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues të SHM, përfshirë edhe Kryetarin z. Xhezair Zaganjori. Ky fakt është konfirmuar edhe nga vetë z. Zaganjori në seancën plenare të KLD ku z. Binaj është shkarkuar si anëtar i Këshillit Drejtues të ShM.
Nuk kam marrë pjesë në votimin në KLD për emërimin e z. Fana si Drejtor i SHM, për arësye së kisha votuar një herë pro tij në Këshillin Drejtues të asaj shkolle, ndërza në rastin e zj. Semini, në KLD kam votuar kundër emërimit të saj si Drejtore. Nuk kam gjykuar se nuk duhet të merrja pjesë në këtë votim, pasi edhe në votimin në Këshillin Drejtues të ShM nuk kam votuar për zonjën në fjalë. Gjithsesi cdo vendim për të votuar ose jo, është një diskrecion dhe në vullnetin tim personal dhe plotësisht në përputhje me kompetencën që më ka dhënë Kushtetuta dhe Ligji. Sic rezulton edhe nga materiali konstatues i Komisionit Hetimor, asnjë nen i asnjë ligji nuk është shkelur në qëndrimin tim për këtë rast.
2- Votimi i z. Ilir Mustafaj për tu propozuar për emërin në gjykatën e Apelit Tiranë.
Propozimi i një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t'u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë është bërë duke pasur parasysh faktin se anëtari në fjalë kishte paraqitur kërkesën pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë shumë kohë më parë se hyrja në fuqi e ligjit "Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare", dispozitat e të cilit nuk parashikojnë ndalesë për t'u promovuar, por ndalesë për të paraqitur kërkesë për promovim apo transferim. Interpretimi nga anëtarët e KLD, duke mos i dhenë fuqi prapavepruese kësaj dispozite ligjore, në favor të gjyqtarit është diskrecion i secilit anëtar. Gjithsesi në përfundim, Presidenti i Republikës nuk e ka dekretuar gjyqtarin në fjalë duke kërkuar një interpretim të këtij rasti nga Gjykata Kushtetuese.
Në relacionin e Komisionit Hetimor, akuzohem se kam lejuar kandidaturën e z. Mustafaj, kur ndërkohë nuk ka asnjë kompetencë ku ligji t'i japë zëvendëskryetarit të KLD të drejtën për të mos lejuar një gjyqtar të konkurojë për një vend të caktuar. Kjo është një e drejtë kushtetuese vetëm e Presidentit të Republikës i cili vendos të dekretojë ose jo një gjyqtar të propozuar nga Këshilli për një post të caktuar. Jo më kot referuar Kushtetutës dhe ligjit organik, KLD propozon, ndërsa emërimet apo promovimet e gjyqtarëve bëhen vetëm nga Presidenti i Republikës me dekret. Duhet shtuar këtu fakti që ka një grup pune të ngritur në KLD për shqyrtimin dhe pikëzimin e kandidaturave në rastet e promovimeve dhe një propozim i tillë, gjithmonë nëse do të bëhej, duhet të vinte nga ky grup pune dhe më pas do ti nënshtrohej një votimi miratues nga KLD.
Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave për Gjyqtar (krijuar sipas vendimit nr.274/2, datë 16.2.2011, i ndryshur), i cituar në materialin e hetimit, ka kompetencë vetëm shqyrtimin dhe pikëzimin e gjyqtarëve që kërkojnë të transferohen apo që kërkojnë të rifuten në sistem dhe jo rastet e promovimeve të gjyqtarëve që konkurojnë për në gjykatën e apelit. Sikurse e kam thënë edhe më sipër, ky pikëzim ndërmerret nga një grup i vecantë pune, në përbërje të të cilit nuk është zëvendëskryetari i KLD. Kjo është një procedurë tjetër që rregullohet sipas vendimit të KLD nr.269/2, datë 29.9.2010 "Për rregullat e hollësishme për sistemin e pikëzimit të detyrueshëm për zbatim, në rastin e përzgjedhjes së kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në gjykatat e apelit dhe gjykatat e apelit për Krime të Rënda", i ndryshuar.
E ndjej të nevojshme të sqaroj këtu edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm që shkon në favor të këtij qëndrimi. Edhe vetë Ministri i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 23.12.2013 (pra pasi propozimi i KLD për z. Mustafaj nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës), ka votuar ndër të tjera për ta transferuar në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, anëtarin e KLD z. Dritan Caka (shih procesverbalin e mbledhjes së asaj date dhe fletën e votimit të z. Naco bashkëlidhur këtij materiali). Fakti që edhe ministri i Drejtësisë, megjithëse ishte shumë mirë në dijeni të përcaktimeve ligjore për këto raste, ka votuar në favor të një anëtari të KLD, do të thotë në fakt që edhe nga ai është bërë i njëjti argumentim ligjor sic është bërë nga ana ime në rastin e z. Mustafaj, dhe këtu nuk ka asnjë shkelje të ligjit, megjithëse unë personalisht, duke parë qëndrimin e Presidentit në rastin e z. Mustafaj, nuk kam votuar për të transferuar në Tiranë anëtarin e KLD z. Caka (bashkëlidhur fleta e votimit tim për këtë rast).
3- Verifikimi i pajtueshmërisë së anëtarit të KLD, në momentin e fillimit të ushtrimit të detyrës.
Së pari, në KLD në cdo rast funksionon Komisioni i Verifikimit të Mandateve i cili krijohet me vendim të vetë Këshillit. Që nga moment i fillimit të detyrë si anëtar i KLD nuk kam qenë asnjëherë pjesë e këtij komisioni.
Gjithsesi duhet nënvizuar fakti se ky komision verifikon dhe vlerëson materialet për anëtarin e ri të KLD që vijnë nga organi kompetent për zgjedhjen e tij, përkatësisht nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare apo nga Kuvendi. Ky komision në ushtrimin e veprimtarisë së tij e ka në fakt objektivisht të pamundur të vlerësojë për fakte apo rrethana për të cilat nuk ka pasur asnjë mundësi të ishte në dijeni.
Në asnjë rast KLD në momentin e verifikimit të mandatit të anëtarit të ri të saj nuk ka patur informacione të asnjë lloji për konflikte interesi të anëtarëve të zgjedhur rishtas. Është detyrim i cdo zyrtari, në rastin konkret i anëtarit të KLD-së, për të deklaruar konfliktin e interesit rast pas rasti, bazuar kjo në nenin 7 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike" i ndryshuar. Nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi Zëvëndëskryetari i KLD-së për detyrimin që ka një person tjetër, qoftë ky edhe anëtar i KLD-së, për zbatimin në mënyrë nominale të ligjit dhe dispozitave konkrete ligjore gjatë ushtrimit të detyrës.
Po ashtu dua të sqaroj se në asnjë rast nuk ka patur praktikë të mëparëshme të KLD-së që në rastin e verifikimit të mandatit të kërkohet informacion nga ILDKPKI për raste të konfliktit të interesit nga anëtari i zgjedhur. Konflikti i interesit në konceptin juridik është një fenomen i cili mund ta ndodhë rast pas rasti gjatë ushtrimit të detyrës së zyrtarit dhe për të cilin është i detyruar ta deklarojë atë në momentin në të cilin gjendet. Në këto kushte është absurd dhe pa asnjë bazë ligjore ngarkimi me përgjegjësi i dy anëtarëve të KLD-së z.Çefa dhe z.Lelçaj.
Së dyti, Lidhur me pikën 3 të relacionit të hartuar nga ju, ku theksoni se për periudhën gusht 2012-shtator 2014, nga KLD nuk është përmbushur detyrimi ligjor për plotësimin e autorizimit nga të gjithë gjyqtarët për rastet e konfliktit të interesit, si dhe nuk është kryer verifikimi i pajtueshmërisë së ushtrimit të funksionit të anëtarit të KLD-së në momentin e verifikimit të mandatit; nëse anëtarët e rinj të KLD-së janë apo jo në kushtet e konfliktit të interesit ju sqarojmë si më poshtë vijon:
Fillimisht theksoj faktin që Zëvendëskryetari i KLD nuk është dhe nuk ka qenë Autoriteti Përgjegjës në kuptim të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar. Kjo detyrë është përmbushur nga zj. Suela Zhegu, specialist në Sektorin e Burimeve Njerëzore në KLD.
Referuar nenit 10, pika 2, e ligjit nr.9367, datë 07.04.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesve në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar: "Çdo zyrtar, jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji ose nga data e fillimit të marrëdhënieve të punës në një institucion publik, është i detyruar të lëshojë një autorizim, në favor të institucionit publik ku ushtron funksionet, nëpërmjet të cilit ai e autorizon këtë institucion që të kryejë kontroll dhe të sigurojë të dhëna vetjake për zyrtarin, kudo ku ato janë regjistruar.."
Në zbatim të kësaj dispozite ligjore cdo person, gjyqtar, anëtar i KLD-së apo nënpunës i administratës së KLD-së, i cili sipas ligjit duhej të bëjë deklarimin e pasurisë pranë ILDKPKI, e ka bërë atë në momentin e emërimit sic parashikon ligji. Gjithashtu secili prej personave që cituam më sipër në momentin e plotësimit të deklaratës së pasurisë ka plotësuar edhe autorizimin përkatës me të cilin autorizon ILDKPKI të kryejë kontroll dhe të sigurojë të dhëna vetiake për zyrtarin, sipas modelit të miratuar nga ILDKPKI që ishte në fuqi, dokument i cili mund të gjendet lehtësisht pranë ILDKPKI, ku administrohen të gjitha deklaratat e zyrtarëve dhe autorizimet përkatëse. Dua të sqaroj se një konstatim i tillë i bërë nga ana juaj duke ngarkuar me përgjegjësi Zëvëndëskryetarin e KLD-së, është totalisht i pavërtetë.
Modeli i autorizimit të vjetër i plotësuar nga cdo zyrtar deklarues (gjyqtar, anëtar i KLD-së dhe zyrtar i administrates së KLD-së" në momentin e deklarimit të pasurisë së tij), ka ndryshuar në vitin 2013, miratuar me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI.
Me shkresën nr.2642, datë 30.07.2014, të ILDKPKI, është kërkuar që nga ana e KLD-së të merren masat e nevojshme nga autoriteti përgjegjës për plotësimin e dokumentit zyrtar "Autorizim", sipas formatit të ri të miratuar nga Inspektori i Përgjithshem (botuar në Manualin e ILDKPKI, 2013), nga të gjithë zyrtarët që ushtrojnë funksionet e tyre dhe janë në varësi të KLD. Gjithashtu, është kërkuar të njoftohet Inspektori i Lartë brenda datës 15.09.2014, lidhur me masat e marra për plotësimin e këtij detyrimi ligjor.
Kjo shkresë ka ardhur pas kontrollit të ushtruar në zyrën e autoritetit përgjegjës të KLD-së, znj.Suela Zhegu, më datë 30.04.2014, nga përfaqësues të ILDKPKI, ku u kontrollua plotësimi i "Autorizimit" nga administrata e KLD-së, dhe rezultoi se të gjithë zyrtarët kanë plotësuar atë, në respektim të detyrimit ligjor sipas nenit 10, pika 2 dhe nenit 41, pika 2, të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005.
Për shkak të ndryshimeve që ka pësuar ky "Autorizim", pasi në përmbajtjen të tij është shtuar paragrafi i fundit, bazuar në ligjin 9887, datë 10.03.2008 "Në mbrojtje të të dhënave personale", është lënë si detyrë për znj.Suela zhegu, në cilësinë e autoritetit përgjegjës në KLD, të marrë masat e nevojshme për plotësimin e dokumentit zyrtar "Autorizim", sipas formatit të ri të miratuar nga Inspektori i Përgjithshem (botuar në Manualin e ILDKPKI, 2013), nga të gjithë zyrtarët që ushtrojne funksionet e tyre në KLD. Autorizimet pasi të plotësohen dhe firmosen nga titullari duhet të depozitohen pranë autoritetit përgjegjës.
Zyrtarët e administratës së KLD-së kanë plotësuar dokumentin "Autorizim" menjëherë. Ndërsa, me shkresën nr.3738/1, datë 29.07.2014, të ILDKPKI, është kërkuar të merren masat e nevojshme nga autoriteti përgjegjës për plotësimin e dokumentit zyrtar "Autorizim", sipas formatit të ri të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm, edhe nga gjyqtarët. Në zbatim të kësaj shkrese nga autoriteti përgjegjës në KLD janë njoftuar të gjithë gjyqtarët për plotësimin e modelit të ri të këtij autorizimi, detyrë e cila është realizuar. Në këtë proces ka pasur pak vonesa për shkak të numrit të madh të gjykatave dhe të gjyqtarëve, por gjithsesi është përmbushur plotësisht.
4- Mosemërimi si gjyqtar brenda afatit ligjor, të magjistratëve që kanë përfunduar SHM në vitet 2012, 2013 dhe 2014.
Këshillit i Lartë i Drejtësisë bazuar në ligjin nr.8136, datë 31.07.1996 "Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë", ka pasur në vijimësi në vëmendje të punës së tij, emërimet e kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që kanë mbaruar vitin e tretë në Shkollën e Magjistraturës. Këshilli pikërisht në zbatim të detyrës së tij, i ka propozuar Presidentit të Republikës fillimisht në janar të vitit 2013 emërimet e magjistratëve që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës për vitet akademike 2011-2012. Presidenti, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe duke konsideruar faktin se për shkak të procesit të riorganizimit të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve nëpër të gjitha gjykatat të dekretuar pak ditë më pas, nuk dekretoi këto propozime të Këshillit. Në procesin e riorganizimit iu dha përparësi gjyqtarëve në detyrë, një pjesë e të cilëve janë diplomuar prej vitesh në Shkollën e Magjistraturës dhe që kishin paraqitur kërkesa për transferim në gjykatat kryesore të vendit. Kjo ishte arësyeja kryesore që në përfundim të riorganizimit në dhjetor 2013 emërimi i magjistratëve përfundoi njëkohësisht për dy vitet akademike 2011-2012 dhe 2012-2013. Vonesë në këtë rast u shkaktua edhe nga qëndrimi i paprecedent i Ministrit të Drejtësië i cili në kundështim me praktikën e deriatëhershme dhe vendimmarrjet e KLD, propozoi emërimin e 13 magjistratëve të sapo diplomuar në gjykatën e shkallës së parë Tiranë. Ky propozim i ministrit natyrshëm, u rrëzua nga KLD, cka solli si pasojë direkte që emërimi i këtyre magjistratëve të vonohej edhe më tepër.
Aktualisht Këshilli është në pritje të dokumentacionit të Shkollës së Magjistraturës për caktimin e vendeve vakant për t'i propozuar Presidentit të Republikës emërimin përfundimtar të magjistratëve për vitet akademike 2013-2014. Ky proces po vonohet për shkak të ndryshimeve të reja në ligjin "Për shkollën e magjistraturës", të hyra në fuqi në datën 16 shtator 2014. Megjithatë pas përcjelljes nga SHM me shkresën nr.497, datë 30.9.2014 të rezultateve mësimore të studentëve të SHM që kanë përfunduar studimet në vitin 2014, në rendin e ditës së mbledhjes së radhës së KLD është parashikuar që Ministri i Drejtësisë të kërkojë shpalljen e vëndeve në dispozicion të këtyre studentëve për tu emëruar. Pra procesi ka filluar dhe vonesa e deritanishme nuk ka ardhur për faj të KLD.
5- Marrja nga KLD e kompetencave të SHM në testimin seleksionues të kjandidatëve për gjyqtar në gjykatat administrative.
Neni 5 i ligjit nr. 49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative" përcakton se KLD është autoriteti që përzgjedh kandidatët për gjyqtarë administrativë, në funksion të së cilës Shkolla e Magjistraturës organizon një testim seleksionues me shkrim. Përbërja e komisionit është e përcaktuar në ligj. Pra, organizimi i testimit nga Shkolla e Magjistraturës është pjesë e përgjegjësisë që ka KLD-ja për realizimin e të gjithë procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet si përgjegjësi eskluzive e Shkollës së Magjistraturës. Këshilli ka parë të arsyeshme që të rregullojë me akte nënligjore këtë proces dhe neni 71, pika 1 e ligjit e lejon atë që të organizojë këtë procedurë, të orientojë Shkollën e Magjistraturës apo të përcaktojë në akte të tij përbërjen e komisionit të fondit të pyetjeve. Kjo në fakt u kërkua edhe nga Drektorja e SHM zj. M. Semini. Mbi kuadrin ligjor të sipërpërmendur, në ushtrim të plotë të kompetencave kushtetuese dhe në përmbushje të misionit te tij, Këshilli miratoi vendimin nr.299/1, date 30.11.2012 "Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit", me të cilin është mundësuar zbatimi efektiv i vullnetit të ligjvënësit. Në hartimin dhe miratimin e këtij akti nënligjor Këshilli, në respekt të vullnetit të ligjvënësit, ka patur parasysh të gjitha atributet që i burojnë nga tërësia e kuadrit ligjor në fuqi që prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" si dhe të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative". Vendimi në fjalë është hartuar në bashkëpunim të afërt me vetë Shkollën e Magjistraturës. Ky vendim i cili nuk bën asgjë tjetër përveç miratimit të rregullave më të detajuara të organizimit të testimit, u bazua në nevojën për të identifikuar çdo hap të procesit dhe për përgatitjen serioze të fondit të pyetjeve, të cilat nuk mund të përdoreshin nga arkiva e gatshme e Shkollës së Magjistraturës. (Kjo për arsye se fondi ekzistues i pyetjeve të Shkollës vlente vetëm për konkurentët që kërkojnë të pranohen në Shkollën e Magjistraturës, që në mënyrë evidente janë të një niveli më të ulët se sa ai i gjyqtarëve). Vendimi i miratuar nga KLD nuk kapërcen aspak vullnetin e ligjvënësit, madje është në përputhje të plotë me misionin dhe me dispozitat kushtetuese. Nën këtë frymë, Kushtetuta njeh si organin qeverisës të pushtetit gjyqësor, pikërisht KLD-në, të cilit i jep atributet e emërimit të gjyqtarëve me formulën e propozimit të kandidaturave tek Presidenti i Republikës.
6- Marrja nga KLD e kompetencave të Ministrit të Drejtësisë në shpalljen e vendeve vakante në gjykata.
Së pari duhet sqaruar se kemi të bëjmë me vende që ishin shpallur vakant më parë dhe KLD në këtë rast ka bërë vetëm rishpalljen e tyre, në funksion të kompetencave të tij kushtetuese. Edhe në këtë rast, për rishpalljen e vëndeve vakant, vlen i njëjti argument si më sipër, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni i cili "qeveris" sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Për rastin konkret përkundrejt mosmarrjes së nismës nga Ministri i Drejtësisë për të ushtruar detyrën e tij, si pasojë e së cilës do të kishim kolaps në ecurinë normale të gjykatave apo edhe të emërimit të magjistratëve, është bërë rishpallja e vendeve vakant, që në fakt ishin shpallur edhe më parë. Ka prevaluar vetëm ecuria normale e funksionimit të gjykatave në zbatim të misionit për të cilin KLD funksionon dhe aspak nuk ka shkelje të ligjit nga anëtarët e tij.
7- Mosemërimi i kryetarëve të gjykatave në kundërshtim të hapur me ligjin, duke lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetarë me mandate të paligjshëm dhe emërimi i kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve në kundërshtim me ligjin.
Procesi i emërimit të Kryetarëve të gjykatave është parë me shumë seriozitet nga ana e KLD. Me ardhjen në krye të Këshillit të Presidentit Nishani nga 30 gjykata në shkallë Republike, vetëm në dy të tilla ishin emëruar kryetarët. Për të bërë të mundur përzgjedhjen e gjyqtarëve më të mirë në postet drejtuese, u vendos që asnjë emërim i kryetarëve të gjykatave të mos bëhej pa u përfunduar të paktën vlerësimi i parë etiko profesional i të gjithë kandidatëve. Këtu duhet evidentuar se kuadri ligjor dhe përpjekjet për realizimin e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve kanë filluar që në vitin 2005, por ky proces u intensifikua dhe u finalizua për herë të parë ne vitet 2012-2013. Përfundimi i vlerësimit për herë të parë mundësoi edhe krijimin e listës publike të renditjes të gjyqtarëve, që përbën një arritje të sistemin gjyqësor në funksion të transparencës dhe meritokracisë në promovimin e tyre. (shih Progres Raportin për Shqipërinë, qershor 2014). Vetëm pasi përfundoi vlerësimi profesional i të gjithë kandidatëve vijoi procesi i emërimit të drejtuesve të gjykatave. Vonesa e këtij procesi në këtë rast ka ardhur pikërisht për shkak të vendosjes së një standarti të paaplikuar më parë, i cili ka rritur ndjeshëm përgjegjshmërinë në sistem. Në këtë kontekst, natyrshëm që do të kishte një vonesë, pikërisht për shkak të rritjes së cilësisë së këtij procesi.
Në emërimin e kryetarëve të gjykatave është vendosur një standart dhe është bërë e pamundur që të konkurojnë gjyqtarët të cilët nuk kanë vlerësimin profesional dhe etik "shumë mirë". Është hera e parë, pas pothuajse 24 vite, që kryetarët e gjykatave në vendin tonë kanë vlerësimin profesional "shumë mirë" ndërkohë që më parë nuk bëhej fjalë për një gjë të tillë. Edhe vetë ligji në fakt e parashikon mundësinë e zgjedhjes së një kryetari gjykate edhe kur ka vetëm një vlerësim. Nëse KLD do të kishte vendosur që kryetarët e gjykatave të emërohen pasi të miratohet edhe vlerësimi i dytë etiko-profesional për secilin kandidat, sikurse është pretenduar sistematikisht edhe nga Ministri i Drejtësisë, atëherë ky proces do të ishte shtyrë edhe më tepër në kohë, duke e lënë situatën në të njëjtën gjendje edhe për disa vite të tjera. Pra vendimmarrja e KLD në këtë rast ka qënë e imponuar nga rrethanat faktike dhe më racionalja e mundshme.
8- Promovimi i gjyqtarëve në kundështim me ligjin
Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave për Gjyqtar (krijuar në zbatim të nenit 29 të ligjit me vendimin e KLD nr.274/2, datë 16.2.2011, i ndryshuar), i cituar në materialin e hetimit, ka kompetencë vetëm shqyrtimin dhe pikëzimin e gjyqtarëve që kërkojnë të transferohen apo që kërkojnë të rifuten në sistem dhe jo rastet e promovimeve të gjyqtarëve që konkurojnë për në gjykatën e apelit.
Referuar këtij vendimi për të gjitha rastet e emërimeve fillestare apo transferimeve Komisioni i parashikuar në këtë vendim dhe në nenin 29 të ligjit, ka funksionuar rregullisht. Vendimet e këtij komisioni i janë dërguar Kuvendit në datën 14.10.2014. Bazuar në vendimin e KLD nr.274/2, datë 16.2.2011, i ndryshuar, është përcaktuar në nenin 7/5 se "Gjyqtarët që transferohen nga një gjykatë rrethi në një tjetër, nuk i nënshtrohen testimit". Ndërsa po në nenin 7/1 është parashikuar se: "Pas verifikimit të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, Komisioni, kur e cmon të nevojshme, zhvillon testimin profesional të tyre."
Pra Ju siguroj të nderuar deputetë që veprimet e mija për këto raste kjanë qenë në përputhje të plotë me kuadrin rregullator ligjor apo nënligjor.
Sikurse e kam thënë edhe më sipër, për rastet e konkurimeve për promovim në gjykatat e apeleve, verifikimi dhe pikëzimi i kandidatëve ndërmerret nga një grup i vecantë pune, në përbërje të të cilit nuk është zëvendëskryetari i KLD. Kjo është një procedurë tjetër që rregullohet sipas vendimit të KLD nr.269/2, datë 29.9.2010 "Për rregullat e hollësishme për sistemin e pikëzimit të detyrueshëm për zbatim, në rastin e përzgjedhjes së kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në gjykatat e apelit dhe gjykatat e apelit për Krime të Rënda", i ndryshuar. Sic edhe e keni vërejtur, në të gjitha rastet ky komision i përbërë nga tre gjyqtarë – anëtarë të KLD, ka funksionuar rregullisht dhe relacionet e tij për të gjitha rastet ju janë dërguar me datën 14.10.2014.
Përsa i përket dy vlerësimeve të kërkuara nga ligji, është tashmë një fakt i ditur botërisht që deri para dy vitesh KLD e mëparshme, pjesë e së cilës ka qënë edhe z. Subashi, nuk kishte zbatuar detyrimin e saj ligjor për të përfunduar sistemin e vlerësimit dhe më pas edhe të pikëzimit të të gjithë gjyqtarëve të sistemit. Kjo punë u bë nga KLD aktuale dhe sigurisht që kërkoi një kohë të caktuar për tu përmbushur. Në këtë situatë, KLD ishte përballë faktit që të ndalonte procesin e riorganizimit në pritje të bërjes së një vlerësimi të dytë për të gjithë sistemin, i cili sipas përllogaritjeve tona do të përfundonte në fund të vitit 2015 ose të procedonte me procesin e plotësimit të organikave sipas Dekretit të Presidentit të Republikës, duke u mjaftuar me një vlerësim të vetëm për gjyqtarët që konkuronin për tu promovuar. Këshilli, në emër të interesit prevalues të dhënies së drejtësisë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve gjyqësore për publikun, zgjodhi të operojë në mënyrën e dytë duke shfrytëzuar pikërisht hapësirën që neni 43 "Dispozitë kalimtare" e ligjit nr.9877, datë 18.2.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" parashikonte. Në interpretimin që KLD i ka bërë kësaj dispozite, rezulton që në këto raste emergjente për mbarëvajtjen e sistemit, gjyqtarët mund të promovohen duke pasur një vlerësim të vetëm. Ky qëndrim, e theksoj, është mbajtur nga KLD dhe jo nga Zëvendëskryetari dhe jam i bindur që duke konsideruar rrethanat e faktit ka qënë vendimi më i mirë i mundshëm.
Lista e Renditjes së Përhershme të Gjyqtarëve ka qënë gjithashtu një detyrim ligjor i pazbatuar nga KLD e mëparshme. Duke qënë një listë ku pikëzimi i të gjithë gjyqtarëve të sistemit ishte pashmangshmërisht i lidhur me sistemin e vlerësimit të tyre, KLD ka pasur objektivisht të pamundur ta përfundonte këtë listë përpara se të mbaronte procesin e parë të vlerësimit të karrierës të të gjithë gjyqtarëve të sistemit. Fakti është që me përfundimin e këtij vlerësimi, për herë të parë në historinë e KLD u bë e mundur hartimi dhe publikimi i kësaj liste vetëm në janar të vitit 2013. Ky fakt që duhej të ishte bërë nga KLD-të e mëparshme, megjithëse u bë me vonesë, ka pasur një vlerësim shumë pozitiv sidomos nga partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët në Progres Raportin për Shqipërinë e kanë cilësuar një hap të jashtëzakonshëm përpara.
Megjithatë, nënvizoj përsëri faktin që grupi i punës për shqyrtimin e kandidaturave për në gjykatat e apelit, i përbërë nga 3 gjyqtarë, në të gjitha rastet ka pikëzuar rregullisht të gjithë kandidatët konkurues në bazë të vlerësimit të tyre profesional. Kjo është një praktikë që është vënë në zbatim për herë të parë nga kjo KLD dhe është padyshim një arritje e jashtëzakonshme për gjendjen në të cilën ishte sistemi deri para dy vitesh.
9- Keqorganizimi i sistemit gjyqësor me pasojë cënimin e statusit të disa gjyqtarëve duke i privuar nga paga.
Privimi për pak muaj nga paga i disa gjyqtarëve të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje erdhi për shkak të procesit të riorganizimit të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, çka në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se statusi i tyre është cënuar. Për rrjedhojë, është e tepërt të flitet për keqorganizim të pushtetit gjyqësor, dhe është po ashtu e papranueshme që për këtë fakt të ngarkoni me përgjegjësi personin tim sidomos nëse keni parasysh faktin që unë personalisht në disa mbledhje të KLD unë kam këmbëngulur që procesi i zbatimit të dekretit nr. 7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës duhej konsideruar tashmë si riorganizim i sistemit dhe në këtë kontekst KLD duhet të procedojë me emërimin e gjyqtarëve mbi organikë nëpër gjykata të tjera pa pëlqimin e tyre (shiko procesverbalet e datës 09.9.2013, të datës 14.10.2013, të datës 24.3.2014 dhe të datës 29.4.2014). Nëse vlerësoni me kujdes këto procesverbale, do të konstatoni qartë se ky qëndrim i imi nuk ka gjetur mbështetjen e shumicës së anëtarëve të KLD.
Megjithatë, në zbatim të detyrimeve të mija, si Zëvendëskryetar i KLD i është kërkuar disa herë edhe Ministrisë së Financave me disa shkresa që të ndërhyhet për të riparuar situatën e mos dhënies së pagave për disa gjyqtarë, por nga ana e kësaj Ministrie nuk u gjet vullneti për bashkëpunim. Konkretisht :
Me shkresën nr. 269/1, datë 29.01.2014, "Për zgjidhjen e situatës së krijuar në lidhje me pagat në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lushnje"; i jam drejtuar, Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Financiare, Drejtorisë së Operacioneve të Thesarit, në Ministrinë e Financave,
Me shkresën e përbashkët me Zyrën e Adminstrimit Buxhetit Gjyqësor nr. 614, datë 14.02.2014, "Mbi pagesat e gjyqtarëve që rezultojnë mbi struktura në gjykata" i jam drejtuar Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së financeve.
Pas kësaj ndërhyrje, Ministria e Financave me shkresen nr.1980/1, datë 21.02.2014, ka autorizuar Thesarin për kalimin e pagave të këtyre gjyqtarëve për periudhën dhjetor 2013 deri në shkurt 2014. Ju kujtoj se në këtë periudhë ka pasur gjyqtarë tepër edhe në gjykatën e shkallës së parë Kukës dhe Pogradec, por atyre gjyqtarëve nuk i është ndaluar paga për asnjë moment. Këto qëndrime me dy standarte, vërtetojnë plotësisht faktin që në të vërtetë nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore për dhënien e pagave të gjyqtarëve dhe Ministria e Financave, nëse do të kishte pak vullnet të mirë, mund ta lejonte kalimin e pagave edhe për gjithë periudhën tjetër.
Përsëri, me shkresën nr. 2024, datë 05.6.2014, "Për zgjidhjen e situatës së krijuar në lidhje me pagat në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lushnje"; i jam drejtuar edhe njëherë, Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Financiare dhe Drejtorisë së Operacioneve të Thesarit, në Ministrinë e Financave.
E njëjta kërkesë është përsëritur me shkresën nr. 2864/1, datë 15.9.2014, "Kërkojmë kalimin e pagave për dy gjyqtarët e Gjykatës së rrethit gjyqësor Lushnje", drejtuar po këtyre institucioneve por vullneti ka munguar megjithë ekzistencën e hapësirës ligjore.
Sidoqoftë, me transferimin e dy gjyqtarëve mbi numrin e përcaktuar në atë gjykatë, pas një kohe relativisht të shkurtër, situata është riparuar pothuajse plotësisht. Si përfundim rezulton se deri sot kanë kaluar të gjitha pagat e këtyre gjyqtarëve, përveç pagës nga data 1 qershor deri 8 korrik për një gjyqtar dhe nga data 1-22 korrik për një gjyqtar tjetër.
10- Shkelje e ligjit për mosmarrjen në konsideratë të kërkesave të ish-Kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme
Zonja Shpresa Becaj, ka paraqitur kërkesën në KLD shumë kohë pasi ishte larguar nga funksioni i mëparshëm dhe mbi të gjitha, kërkesa e saj ka qënë për t'iu nënshtruar procedurave të konkurimit për në gjykatën e Apelit Tiranë. Në këtë këndvështrim, KLD mbështetur në praktikën e vendosur edhe në rastin e zj. Rama, mendoj që da ta shqyrtojë këtë kërkesë në momentin kur të shqyrtohen kandidaturat që konkurojnë për në gjykatën e Apelit Tiranë. Kjo mendoj që ka qënë arësyeja përse kërkesa e zj. Becaj nuk është futur në rendin e ditës.
Pretendimi i Ministrit të Drejtësisë se ai ka kërkuar që kërkesa për zj. Becaj të futet në rendin e ditës nuk është i saktë. Kjo gjë është bërë nga Zëvendësministri i cili sipas ligjit nuk është organi kompetent për të kërkuar futjen e cështjeve për trajtim në rendin e ditës së KLD. Për këtë fakt Ministri është sqaruar zyrtarisht dhe ai më pas nuk ka kryer asnjë veprim tjetër.
Përsa i përket kërkesës së zj. Rama, sikurse jeni njohur nga procesverbali i mbledhjes dhe vendimi përkatës, KLD ka pasur të njëjtin qëndrim që ajo duhet ti nënshtrohej konkurimit me të gjithë kandidatët e tjerë përsa i përket gjykatës së Apelit Tiranë, ndërsa nëse do të kërkonte të rikthehej në vendin e saj të mëparshëm në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, kjo kërkesë do të merrej menjëherë në konsideratë nga KLD.
Për më tepër theksoj faktin që zj. Rama e ka goditur në gjykatë vendimin në fjalë të KLD dhe kërkesa e saj është rrëzuar në shkallë të parë, duke i dhënë të drejtë KLD. Aktualisht pritet gjykimi në shkallë të dytë i kësaj cështje.
Këshilli në të gjitha rastet e trajtimit të kërkesave të ndryshme të gjyqtarëve dhe në mënyrë të vecantë gjatë procesit të emërimit të tyre, ka mbajtur një qëndrim rigorozisht jashtë çdo influence politike. Në përzgjedhjen e gjyqtarëve, kriteri dominant i marrë në konsideratë nga KLD ka qënë statusi i gjyqtarit, aftësia profesionale dhe integriteti personal i personit. Përveç emërimit të zj. Enkelejdi Hajro (magjistrate dhe ish-gjyqtare), përmendim këtu qëndrimin e KLD në rastin e riemërimit si gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë Tiranë të z. Artan Lazaj, i cili ishte përfaqësues politik i Partisë Socialiste në KQZ. Po ashtu KLD ka mbajtur qëndrim krejtësisht mirëkuptues edhe në rastin e zj. Alma Hicka, aktualisht Avokate e Përgjithshme e Shtetit, të cilës iu akordua leje për të punuar në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë duke iu ruajtur statusi i gjyqtarit, megjithëse duke qenë në detyrën e inspektorit në KLD, nuk e kishte njoftuar këtë të fundit paraprakisht për emërimin e saj të ri, duke e vënë atë para faktit të kryer.
11- Emërimi i inspektorit Arjan Balliu gjyqtar në gjykatën e Apelit Durrës.
Emërimi i z. Balliu si gjyqtar në gjykatën e apelit Durrës është bërë në përputhje të plotë me kriteret e ligjit si edhe të vendimeve përkatëse dhe të praktikës së KLD. Sjell në vëmendjen tuaj se është tashmë praktikë e konsoliduar prej vitesh në KLD që inspektorët të emërohen si gjyqtarë. Madje duke iu referuar ligjit, në momentin që fillon detyrën e inspektorit, ai ka statusin dhe trajtimin financiar e gjyqtarit të apelit, për sa kohë që objekt të punës së tij ka kontrollin e dhe të gjyqtarëve të apelit.
Z. Balliu ka qënë gjyqtar në gjykatën e rrethit Tiranë për një periudhë 7 vjecare (1993 – 2000). Ai është rekrutuar në radhët e inspektoratit në datën 22.9.2009 dhe ka ushtruar këtë detyrë për 4 vjet. Periudha që ka punuar si inspektor është e barazvlefshme me punën si gjyqtar. Pra, në momentin që është zgjedhur si gjyqtar në gjykatën e apelit Durrës z. Balliu ka pasur një vjetërsi në detyrën e gjyqtarit prej 11 vitesh, cka është në përputhje të plotë me parashikimin e ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" i cili për gjyqtarët që emërohen në gjykatat e apelit, kërkon një vjetërsi në detyrë prej të paktën 7 vitesh. (bashkëlidhur dokumeëntacioni vërtetues)
Shtoj këtu faktin që e kam theksuar edhe më sipër që Zëvendëskryetari nuk është anëtar i grupit të punës për vlerësimin e kandidaturave për në gjykatat e apelit. Ky grup pune që paraqet në KLD relacionin dhe listën e konkurentëve të pikëzuar për cdo rast, përbëhet nga 3 gjyqtarë, anëtarë të KLD. Pra sikundër vërehet, nuk ka asnjë shkelje të asnjë procedure ligjore në emërimin e z. Balliu.
Së treti, në mbështetje të pretendimit tonë se procedura e shkarkimit tonë nga detyra përpara mbarimit të mandatit të përcaktuar në kushtetutë dhe për rrjedhojë edhe veprimtaria e këtij komisioni të nderuar hetimor është antikushtetuese, konsiderojmë se do ju vijë në ndihmë një mendim i një kolegu tonë jurist, i cili është sot me një karrierë të admirueshme. Mendimin e tij për këtë cështje më lejoni ta citoj fjalë për fjalë:
Në vazhdim të arsyetimit të mësipërm, mendoj se edhe vetë ligji, pra ndryshimi që i është bërë ligjit, nuk ka fuqi prapavrepuese. Besoj se të gjithë e dimë këtë gjë. Përjashtimisht nga ky rregull absolut dhe shumë i vjetër bëjnë vetëm rastet kur vetë ligji me dispozita të caktuara parashikon të kundërtën. Ndryshimi i Ligjit dhe konkretisht i nenit 1 të tij, nuk mund të prekë marrëdhëniet juridike të krijuara, apo proçedurat që janë ndjekur për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Unë mendoj që nuk mund te bëhet ndërhyrja e mandateve kushtetuese për efekt të ndryshimit të ligjjit përkatës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organ kushtetues dhe anëtarët e tij kanë mandate kushtetues, ushtrimi i të cilit është baza e funksionimit të shtetit të së drejtës, parim i sanksionuar që në fillim të Kushtetutës tonë.
Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi janë zgjedhur mbi bazën e ligjit përkatës të kohës, duke respektuar dispozitat ligjore përkatëse të asaj kohe. Ato janë mandate të fituara në mënyrë të rregullt dhe nuk mund të cënohen. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe vetë Gjykata Kushtetuese në vendimin që po diskutojmë (është fjala për vendimin 14/2006), pra pikërisht në këtë vendim, në një pjesë të arsyetimit të saj thuhet: "ndërprerja e menjëhershme e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vjen në kundërshtim me Kushtetutën, e cila në nenin 147/1 të saj ka parashikuar se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë për 5 vjet".
Mendoj se Kuvendi ka vendosur gabim për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kuvendi ka vendosur të shkarkojë dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke parë me kujdes Kushtetutën, unë personalisht nuk gjej asnjë dispozitë ku t'i jepet kompetenca ose e drejta kushtetuese Kuvendit, për të shkarkuar një anëtar të Keshillit të Lartë të Drejtësisë. Kushtetuta i ka dhënë Kuvendit vetëm të drejtën për tu zgjedhur ose emëruar 3 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pa dhënë asnjë kriter ligjor apo rregull të caktuar me karakter procedural për këtë gjë. Specifikimet dhe kriteret më të detajuara në këtë drejtim i ka dhënë ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Pra, është e qartë që pa u shprehur KLD-ja, nuk mund të veprojë asnjë institucion tjetër. Çdo nismë tjetër për deklarimin përpara afatit për mbarimin e mandatit, është e jashtëligjshme dhe anti kushtetuese. Përfundimisht mendoj që është KLD-ja ajo që vendos për vazhdimin e mëtejshëm të mandateve të anëtarëve të vet, ose jo në rastet e parashikuar shprehimisht ne ligj.
Përfundimisht, mendoj se dy anëtarëve, Sokol Çomo dhe Pranvera Strakosha, nuk u ka mbaruar mandati si anëtarë të Këshilli të Lartë të Drejtësisë.
Të nderuar anëtarë të komisionit hetimor, më lejoni Ju lutem, t'Ju sqaroj se fjala që sapo lexova është thënë në mbledhjen e KLD të datës 20.7.2006 nga anëtari i asaj kohe i KLD dhe sot Kryetar i këtij komisioni hetimor z. Armando Subashi. Të plotë fjalën e tij e gjeni në faqen 50 - 57 të procesverbalit të asaj mbledhje.
Si përfundim, duke pasur në konsideratë faktin se veprimtaria e këtij komisioni hetimor, arriti tashmë të hedhë dritë mbi punën e madhe të bërë nga KLD aktuale në raport me KLD e mëparshme, standartet e larta të vendosura tashmë prej mbi dy vjet në procesin shumë delikat dhe të rëndësishëm të rekrutimit dhe promovimit të gjyqtarëve në Shqipëri si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që qëllimi për të cilin ky komision është ngritur është haptazi antikushtetues, jam i mendimit që veprimtaria e tij duhet të përfundojë menjëherë, për të mos krijuar kështu një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Ju faleminderit,
Elvis Çefa
Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Tiranë, më 16 tetor 2014.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa priti sot në një takim Presidentin e ardhshëm të Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësor, Z. Geoffrey Vos, të cilin e njohu hollësisht me organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjyqësor në Shqipëri dhe me punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, bazuar në ligjin nr. 152/2013 "Për nëpunësin civil" dhe VKM nr. 143, datë 12.3.2014 "Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele, e të ngritjes në detyrë për nënpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese", kreu IV, pika 17, shpall listën e fituesve, të konkurimit nëpërmjet konkursit të hapur, si më poshtë:
1. Aida Ndreu,
2. Ermira Lleshi
për 1 (një) vend, në pozicionin Specialist Jurist (kategorisë ekzekutive), në Sektorin Juridik dhe Dokumentacionit, në Drejtorinë Juridike, Dokumentacionit dhe Organizimit, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Fjala e Zëvendëskryetarit të KLD-së, z. Elvis Çefa, mbajtur në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut:
I nderuar kryetar,
Te nderuar anëtarë,
Në datën 19 shtator 2014 jam njohur me kërkesën e një grupi deputetësh të shumicës parlamentare, me të cilën është kërkuar shkarkimi im dhe i z. Lulzim Lelçaj nga detyra e anëtarit të KLD-së. Duke ju falenderuar paraprakisht për mundësinë që më keni dhënë të dëgjohem në këtë procedurë, në bazë të nenit 114 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, ju parashtroj në vijim qëndrimin tim mbi kërkesën e grupit të deputetëve.
Së pari, kërkesa e paraqitur nuk ka qenë e papritur as për mua dhe as për anëtarët e tjerë të Këshillit. Ndërmarrja e një nisme të tillë ishte një rezultat i pritshëm i ngjarjeve të muajve të fundit, duke përfshirë këtu sulmet jo vetëm mediatike kundër veprimtarisë së KLD-së në përgjithësi, por edhe sulmet ndaj personit tim dhe më tej me miratimin në kohë rekord të ndryshimeve të ligjit organik të KLD-së, të kritikuara që në publikimin fillestar të tyre prej KLD dhe jo vetëm. Nisma e grupit të deputetëve vërtetoi më së miri atë që jo vetëm unë, e kemi thënë publikisht prej kohësh, që refoma në drejtësi, e mishëruar në tre ligje të miratuara nga Kuvëndi në datën 1 shtator 2014, nuk synon asgjë tjetër përvecse eleminimin nga institucionet e drejtësisë të atyre personave që janë të padëshiruar.
Së dyti, dëshiroj t'ju evidentoj të nderuar deputetë, se nisma për ndërprerjen e parakohshme të mandatit tim kushtetues me anë të shkarkimit, është një nismë që nuk parashikohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe rrjedhimisht është antikushtetuese. Heshtja e Kushtetutës për një nismë të tillë konfirmohet edhe nga përmbajtja e vetë Rregullores së Kuvendit, e cila në nenin 114 pika 1 të saj, teksa rregullon procedurën e shkarkimit të një funksionari kushtetues, kërkon domosdoshmërisht që "Kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në Kushtetutë". Në këtë mënyrë, ky proces mbart paragjykim që në fillim të procedurës së tij dhe vendos dyshime serioze për drejtësinë e rezultatit të tij.
Së treti, është e vërtetë që me ligjin nr. 101/2014 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë", ndër të tjera, parashikohet mundësia e shkarkimit të anëtarit të KLD-së. Mirëpo, siç tashmë është bërë një fakt i ditur publik, ky ligj është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese prej disa subjekteve, duke përfshirë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ky Këshill në shumicën dërrmuese të anëtarëve të tij ka shprehur me votë qëndrimin se ligji nr. 101/2014 është në tejkalim dhe në cënim të rregullimeve kushtetuese, duke dëmtuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që qëndron në themel të organizimit të rendit juridik demokratik në Republikën e Shqipërisë (neni 7 i Kushtetutës).
Së katërti, edhe duke anashkaluar diskutimin mbi pavërtetësinë e themelit të fakteve të kërkesës për shkarkim, procedura e ndërmarrë bie ndesh me parimin e sigurisë juridike, të garantuar në mënyrë të posaçme në Preambulën e Kushtetutës dhe në nenin 4 të saj. Me anë të kësaj procedure, ligjit nr. 101/2014, i cili ka hyrë në fuqi më 16 shtator 2014 i jepet fuqi prapavepruese për t'u zbatuar për fakte që kanë ndodhur përpara datës 16 shtator 2014. Siguria juridike është një premisë e padiskutueshme e shtetit të së drejtës dhe kërkon domosdoshmërisht që rendi juridik i një vendi demokratik të jetë konsistent dhe koherent. Është e vërtëtë që zhvillimi shoqëror i një vendi krijon raporte dhe ekuilibra të rinj, të cilat kërkojnë rregullime të reja ligjore për të plotësuar nevojat dhe kërkesat sociale të vendit brenda kuadrit kushtetutes. Mirëpo në çdo rast, nevojat shoqërore duhet të zgjidhen me vendimmarrje të përshtatshme të cilat duhet të respektojnë pa asnjë dyshim standardet e sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, më duhet të evidentoj se Komisioni i Venecias ka theksuar se siguria juridike është thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe për shtetin e së drejtës. Retroaktiviteti shkon kundër parimit të sigurisë juridike, edhe në të drejtën administrative, për masën që ai prek negativisht të drejtat dhe interesat e ligjshme. Situata është shumë e komplikuar nëse rregullimet ligjore që lidhen me Gjyqësorin ndryshohen, sepse pavarësia individuale e gjyqtarëve dhe e sistemit gjyqësor është e garantuar në nivel kushtetues për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat themelore të personave individualë.
Të nderuar anëtare të Komisionit të Ligjeve,
Në kërkesën që ju është paraqitur për shqyrtim, pavarësisht se kërkohet në konkluzion shkarkimi i dy anëtarëve të KLD-së të zgjedhur prej Kuvendit, deputetët nënshkrues të saj kanë parashtruar, analizuar dhe gjykuar se disa vendimmarrje të KLD-së janë të kundraligjshme. Ju kujtoj se Këshilli është një organ kushtetues kolegjial. Vendimet në Këshill merren me shumicën e votave të anëtarëve të tij. Edhe vendimmarrjet e parashtruara në kërkesë kanë ndjekur të njëjtën procedurë. Për pasojë, konkluzioni i deputetëve nënshkrues se unë kam shkelur ligjin, në fakt është një konkluzion se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkelur ligjin. Me anë të këtij konkluzioni, deputetët marrin kompetencën për të kontrolluar dhe për të gjykuar vendimmarrjen e një organi kolegjial që i përket një pushteti të ndarë kushtetues – atij të pushtetit gjyqësor. Pushteti gjyqësor jo vetëm është i ndarë qartësisht prej pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, por pa asnjë ekuivok Kushtetuta i ka rezervuar atij mbrojtjen nga çdo ndërhyrje e papërshtatshme në funksion të interesit publik për mbrojtjen e themeleve të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve.
Personalisht jam në këtë detyrë prej mbi dy vjetësh, por përvoja ime në administratën publike të Republikës së Shqipërisë tashmë është në vitin e 18-të. Ju siguroj të nderuar deputetë, se zgjedhjen time si anëtar i KLD e më pas si Zëvendëskryetar e kam konsideruar një privilegj dhe nder, madje edhe si një vlerësim të shërbimit tim në administratën publike. Por mbi të gjitha, këtë emërim e kam vlerësuar si një përgjegjësi shtetërore ndaj interesit publik, interesave shtetërorë dhe atyre të qytetarëve të këtij vendi. Nën këtë vlerësim, jam përpjekur çdo ditë t'i bindem dhe nënshtrohem vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Që në ditën e parë të punës në këtë detyrë, kam vepruar me përgjegjshmëri dhe dëvotshmëri, duke u përpjekur të përcjell frymën e Kuvendit në të gjtha vendimmarrjet e Këshillit. Kështu ka ndodhur edhe me vendimet dhe veprimet e cituara në kërkesën e deputetëve. Duke respektuar procedurën tuaj parlamentare, unë nuk po jap në këtë moment prapësimet e mia për çdo fakt të paraqitur në kërkesë, por njëherazi dua t'ju siguroj se nuk ka asgjë të paligjshme në veprimtarinë e Këshillit dhe as në veprimtarinë time profesionale të këtyre dy viteve të fundit.
Sot sistemi i drejtësisë ka probleme. Këto probleme nuk janë krijuar tani. Këto probleme janë akumuluar prej mbi 20 vitesh dhe në një farë mënyre janë kopje besnike e problemeve që ka përgjithësisht shoqëria shqiptare, përfshirë edhe politikën. Por pa asnjë dyshim këto probleme në raport me dy vite më parë janë më pak. Deri dy vite më parë nuk kishte as kontroll, as standarde, as proces të rregullt dhe as rezultate të kënaqshme. Si rezultat i punës së këtyre dy viteve, sot kemi për herë të parë traditën e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, kemi për herë të parë një listë të renditjes profesionale të gjyqtarëve, kemi për herë të parë një sistem gjyqësor administrativ, kemi një sistem solid të procedimeve disiplinore. Këto rezultate, janë pjesë e arsyeve thelbësore, për të cilat Republika e Shqipërisë përfitoi statusin e vendit kandidat në BE me vendimin e qershorit 2014. Këto rezultate nuk janë fjali të vetëkënaqësisë time personale dhe as të Këshillit. Këto rezultate janë njohur dhe përgëzuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë. Citoj:
- Progres Raporti 2013 Për Shqipërinë
- Raport i Komisionit Qershor 2014 – "Për Progresin e Shqipërisë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe në Reformën në Gjyqësor",
- Rapori i GRECO - Raundi i Katërt i Vlerësimit i Grupit te Shteteve kundër korrupsionit i Këshilli i Evropës, 14 Shkurt 2014
- Grupi i Ekspertëve të Komisionit Evropian 12-14 MAJ 2014- Misioni i Vlerësimit mbi reformat e gjyqësorit: "Raporti mbi pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënies dhe profesionalizmit të Gjyqësorit në Shqipëri.
Natyrisht që sistemi gjyqësor vijon të ketë probleme sidomos me integritetin apo korrupsionin në një pjesë të trupës gjyqësore. Por pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve është: si dhe kur këto probleme do të zgjidhen? Është pothuajse e pamundur dhënia e një përgjigje shterruese e të saktë për këtë pyetje kaq të vështirë. Jo vetëm për mua, por edhe për ata që kanë një jetë që merren me problemet në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, modestisht unë kam një përgjigje për një pyetje po kaq të rëndësishme, që mua më lind sot natyrshëm: a është shkarkimi antikushtetues i dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, mjeti që zgjidh problemet e sistemit gjyqësor sot? Përgjigja ime është jo. Përkundrazi, ky veprim i bërë nga një organ si Kuvendi, veçse do të ligjëronte një frymë antiligj, antirregull dhe antishtet në sistemin e drejtësisë në këtë vend dhe do të kishte pasoja të pariparueshme. Një veprim i tillë do të groposte përgjithmonë shpresat e shumë njerëzve për një sistem drejtësie të përgjegjshëm dhe vërtet të pavarur në Shqipëri. Me mishërimin e kësaj procedure, krijohet një dyshim i arësyeshëm që kontrolli politik i KLD-së të pasojë me kontrollin politik të sistemit gjyqësor. Kjo do të jetë ekzekutim i pavarësisë së tij dhe zhdukje e drejtësisë. Vendosja e këtij precedenti duhet të vlerësohet me shumë kujdes në një plan afatgjatë. Nëse sot veprohet në këtë mënyrë, do të legjitimohet fakti që cilado parti politike që do të vijë në pushtet më pas, të kryejë të njëjtin veprim. A është kjo fryma e Kushtetutës në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve?
Të nderuar deputetë,
Qartësisht tashmë po synohet të mishërohet e keqja mbi 20 vjeçare në sistemin e drejtësisë me dy anëtarët e KLD të zgjedhur jo nga ky Kuvend para rreth dy vitesh. Sigurisht kushdo e kupton që vendimi për fatin tonë tashmë është marrë. Nëse ju vërtet keni bindjen se e keqja e sistemit gjyqësor shqiptar sot është tek Elvis Çefa apo tek Lulzim Lelçaj, atëherë procedoni sa më shpejt me shkarkimin tonë. Por për një gjë dua t'ju siguroj juve dhe të gjithë shqiptarët: nëse qoftë edhe për një moment unë do të kisha dyshuar se largimi im nga kjo detyrë i shërben sistemit gjyqësor, do të isha isha larguar me vullnetin tim dhe pa asnjë hezitim!
Ju falenderoj për vëmendjen,
Me respekt,
Elvis Çefa
Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë u njoh me kërkesen e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të z. Elvis Çefa, Zëvendëskryetar i KLD dhe anëtarit tjetër të KLD z. Lulzim Lelcaj. Duke vlerësuar me shumë seriozitet konstatimet e parashtruara në kërkesën e deputetëve, Këshilli pasi e diskutoi këtë çështje në mbledhjen plenare të jashtëzakonshme të datës 20.09.2014, me shumicën e votave vendosi që t’i drejtohet Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me një informacion spjegues lidhur me vendimmarrjen kolegjiale të tij për çështjet në fjalë.
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot në datë 20.07.2014 mbledhje të jashtëzakonshme plenare, e cila kishte si objekt diskutime lidhur me kërkesën e bërë nga një grup deputetësh për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD z. Elvis Çefa dhe z. Lulzim Lelçaj.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Zëvendëskryetarit z. Elvis Çefa, zhvilloi sot, datë 12.09.2014, mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin dhe miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në vendimin nr. 227/2 datë 28.03.2008, të KLD-së, lidhur me procedurat që do ndiqen për vlerësimin e punës për efekt të emërimit të kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit.