Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2020 klgj

2020 klgj

 

 

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 09.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, përmes një vendimmarrje të rëndësishme, emëroi si gjyqtarë 15 magjistratë. Ky emërim u krye duke mbajtur në konsideratë përfundimin procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, të kandidatëve të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, për profilin gjyqtar, në përfundim të vitit akademik 2018-2019. 

Gjyqtarët e emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë, janë si më poshtë vijon:

1.     Znj. Erlanda Agaj;

2.     Z. Marko Boshku;

3.     Znj. Elisabeta Gjoni;

4.     Z. Klejda Çapja;

5.     Z. Artur Prenga;

6.     Z. Mirjan Mustafaj;

7.     Znj. Kostandina Kuro;

8.     Znj. Iva Zemani;

9.     Znj. Enisa Shahini;

10.            Znj. Ema Shaholli;

11.            Z. Shkëlzen Liçaj;

12.            Z. Xhevdet Lika;

13.            Z. Ligoraq Toshi;

14.            Z. Hazbi Balliu;

15.            Z. Florin Demollari.

         

Më tej, Këshilli, bazuar në propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, vendosi që gjyqtari Osman Aliu, të përfitoi pagën për të gjithë kohën e pezullimit nga detyra. Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes nga detyra, të tre gjyqtarëve, përkatësisht të {...}, {...}dhe {...}.

Në përfundim të kësaj mbledhjeje, KLGJ vendosi kualifikimin e dy kandidatëve për në formimin fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020, duke përmbyllur kështu procesin e hetimeve të thelluara për këta kandidat.

Sot më datë 14.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën vendosi për komandimin e gjyqtareve znj. Esmerilda Habili dhe znj. Gilda Hoxha, në pozicionin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin në njësinë e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Kjo është një strukturë tëper e rendësishme që do jetësoj një nga funksionet kryesore të KLGJ-së lidhur me vlerësimin etik- profesional të gjyqtarëve dhe garantimin e këtyre standardeve.

Një  tjetër vendimmarrje e rëndësishme e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e sotme, ishte dhe shpallja e vendeve të lira për gjyqtarët e emëruar më datë 09.01.2020, konkretisht:

  1. dy pozicione në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër;
  2. dy pozicione në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë;
  3. dy pozicione në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër;
  4. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat;
  5. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër;
  6. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier;
  7. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë;
  8. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë;
  9. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës;
  10. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
  11. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë;
  12. një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

15 gjyqtarët e emëruar paraprakisht nga KLGJ, ftohen që brenda datës 21.01.2020, të paraqesin sipas preferencës tre gjykatat ku dëshirojnë të caktohen për të ushtruar funksionet e tyre.

Sot më datë 16.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi në lidhje me situatën e krijuar në Gjykatën e Apelit Korçë, e cila për shkak të mungesës së numrit minimal të gjyqtarëve në detyrë konsiderohet jashtë funksionit. Pas diskutimeve, në përmbushje të funksionit te tij për të siguruar përgjegjshmëri dhe mbarëvajtje te pushtetit gjyqësor, Këshilli, vendosi që nevojat e Gjykatës së Apelit Korçë, të trajtohen në përputhje me vendimin nr. 30 datë 14.02.2019, duke caktuar nëpërmjet shortit gjyqtarë nga gjykata të tjera të apelit për gjykuar në periudhë 10 ditore pranë kësaj gjykate. Përmes kësaj vendimmarrje, Këshilli i jep zgjidhje të përkohshme problematikës së krijuar në Gjykatën e Apelit Korçë. Më tej, Këshilli bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta. Gjithashtu, Këshilli diskutoi mbi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjorë për emërimin si gjyqtar në Gjykatën e Lartë dy kandidatë, shqyrtimi i të cilave u shty për një mbledhje tjetër të tij.

Sot më datë 20.01.2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Znj. Naureda Llagami, firmosi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Qendrën për Ndërmjetësim të Integruar në Berlin (Berlin Center for Integrated Mediation – CSSP). Kjo marrëveshje vjen në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”, financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.
 
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e praktikës së ndërmjetësimit në Shqipëri si një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjykatave. Në zbatim të saj, KLGJ merr përsipër të lehtësoj marrëdhëniet e drejtpërdrejta të organizatës zbatuese (CSSP) me gjykatat e rretheve gjyqësore me qëllim krijimin e një bashkëpunimi të frytshëm për referimin e çështjeve për ndërmjetësim. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë që paraqet praktika e ndërmjetësimit dhe me qëllim inkurajimin e trupës gjyqësore për zbatimin e saj, KLGJ në cilësinë e institucionit përgjegjës për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor si dhe për miratimin e akteve normative për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, në skemën e re të vlerësimit të gjyqtarëve ka përfshirë si kriter pozitiv edhe rastet e referimit. Referimi i çështjeve për ndërmjetësim do të merret parasysh në procesin e pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarit, duke nxitur kështu zbatimin më të gjerë të kësaj praktike. 
 
 
Në kuadër të projektit, organizata zbatuese (CSSP), do të mbështesë krijimin e dy qendrave të ndërmjetësimit, përkatësisht në Tiranë dhe Durrës, duke synuar hapjen e qendrave të tilla edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

 

Duke marrë shkas nga disa zhvillime të kohëve të fundit dhe në vijim të kërkesave të përsëritura nga individë dhe institucione shtetërore në adresë të tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron opinionin publik në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve.

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

 

Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

 

Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

 

Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni.

Sot, më datë 21.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi lidhur me situatën e krijuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilat funksionojnë me organikë jo të plotë sipas ligjit.

Në këtë kuadër, Këshilli pasi shqyrtoi edhe kërkesat e këtyre gjykatave për të patur një qëndrim lidhur me gjyqtarët e gjykatave me jurdiksion të përgjithshëm të cilët janë caktuar më herët për gjykimin e çështjeve të veçanta në ish-Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, vendosi që këta gjyqtarë të vazhdojnë të shqyrtojnë çdo kërkesë proçeduriale që lidhet me të drejtat dhe liritë themelore të të pandehurit/ve, në çështjet e veçanta në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjithashtu Këshilli shqyrtoi edhe kërkesat e disa gjykatave të vendit për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në këto gjykata. Në këtë mënyrë Këshilli i jep zgjidhje ecurisë së çështjeve gjyqësore që presin për t`u shqyrtuar për shkak të vakancave të shkaktuara nga proçesi i vettingut dhe dorëheqja e gjyqtarëve, me qëllim dhënien e drejtësisë pa vonesa ndaj qytetarëve.

 

 

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me projektin e USAID “Drejtësi për të gjithë”, organizoi në datën 22 janar 2020, një tryezë të rrumbullakët me Gjyqtarët e Medias, Nëpunësit Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun, si edhe me përfaqësues të medias që mbulojnë veprimtarinë e sistemit gjyqësor.

 

Fillimisht, në këtë takim bëri një prezantim të shkurtër rreth rolit të ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të gjyqtarëve të medias, si edhe të nëpunësve civilë gjyqësorë për marrëdhëniet me median dhe publikun, Z. Erjon Muharremaj, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor përgjegjës për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun. Në takim u prezantuan Gjyqtarët e Medias, Znj. Vojsava Osmanaj, Znj. Edlira Petri, Z. Desart Avdulaj, Znj. Klodiana Gjyzari, Znj. Etleva Temo, Z. Enton Dhimitri, Znj. Lindita Sinanaj dhe Znj. Saida Dollani.

 

Takimin e përshëndeti edhe Znj. Anne Trice, Drejtuese e Projektit “Drejtësi për të gjithë”, ndërsa ekspertja e USAID në fushën e marrëdhënieve të gjykatës me publikun dhe median, Znj. Leah Gurowitz, ndau me të pranishmit eksperiencën e saj në SHBA.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjyqtarët e Medias dhe Nëpunësit Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun do të punojnë së bashku për të garantuar transparencën dhe të sigurojnë që gjyqësori t’u përgjigjet në kohë kërkesave për informacion. Aktualisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke punuar për arritjen e këtyre objektivave kryesorë: miratimin e Strategjisë së Komunikimit dhe Planin e Veprimit për vënien e saj në zbatim, miratimin e Rregullores për Komunikimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, vënien në funksionim të faqes së re të përkohshme të internetit, si edhe vijimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë për krijimin e portalit elektronik për sistemin gjyqësor.

 

Takimi i datës 22 janar 2020 është vetëm hapi i parë drejt vendosjes së një bashkëpunimi që do i mundësojë publikut marrjen e informacionit në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

 

 

Sot më datë 23.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme.

Duke mbajtur në konsideratë detyrimin ligjor dhe pas analizimit të situatës në të cilën është sistemi gjyqësor, ndikimin që ka implementimi i reformës në drejtësi dhe mundësisë që ka Shkolla e Magjistraturës, Këshilli miratoi numrin prej 40  kandidatë për magjistratë dhe 25 kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.

Në vijim Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesat për dorëheqje të gjyqtarëve A.L, N.GJ. dhe P.Dh. dhe mbarimin e statusit të tyre të magjistratit, si dhe  konfirmimin si ndihmësmagjistrat me afat 1 (një) vjeçar pranë Gjykatës së Lartë të z.E.P.

Gjithashtu Këshilli vendosi ti njohë të drejtën znj.A.H. të zgjedhë për t`u caktuar në pozicion, në një nga vendet vakante në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të  shkallës së parë.

Në vijim të vendimmarrjes për funksionimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi caktimin në pozicion në mënyrë të përhershme pranë kësaj gjykate të gjyqtares znj. D.Sh., dhe përfundimin e caktimit të përkohshëm në këtë gjykatë të gjyqtares znj. M.B., transferimin e saj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorin e caktuar për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidates K.K.. Kandidatja ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

 

Sot më datë 29.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila filloi me ceremoninë publike të betimit të 15 gjyqtarëve të rinj të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit, znj. Naureda Llagami, u shpreh se gjyqtarët që  betohen sot janë brezi i dytë i gjyqtarëve për të cilët Këshilli ka kryer një verifikim të thelluar, të pasurisë dhe figurës, përpara emërimit të tyre. Proces të cilin gjyqtarët nën betim e kaluan me sukses.
Në këtë mënyrë, së bashku me brezin e parë të magjistratëve të emëruar në Korrik 2019, në më pak se një vit, sistemit gjyqësor shqiptar i shtohen 25 gjyqtarë me integritet dhe aftësi të larta profesionale.
Duke u uruar sukses për emërimin në detyrë, znj. Llagami, theksoi nevojën që ka shoqëria shqiptare dhe vendi për gjyqtarë profesionistë dhe të përkushtuar në zbatim të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor në fuqi.
Menjëherë pas përfundimit të betimit, Këshilli vendosi caktimin në pozicion në gjykatat e vendit të 15 gjyqtarëve të rinj, bazuar në vendet e lira në dispozicion të tyre dhe konkretisht:
1.      Znj. Erlanda Agaj caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
2.      Z. Marko Boshku caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.
3.      Znj. Elisabeta Gjoni caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
4.      Znj. Klejda Çapja caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
5.      Z. Artur Prenga caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
6.      Z. Mirjan Mustafaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.
7.      Znj. Kostandina Kuro caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
8.      Znj. Iva Zemani caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
9.      Znj. Enisa Shahini caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë.
10.     Znj. Ema Shaholli caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
11.     Z. Shkëlzen Liçaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
12.     Z. Xhevdet Lika caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.
13.     Z. Ligoraq Toshi caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë.
14.     Z. Hazbi Balliu caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
15.     Z. Florin Demollari caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

 

Sot më datë 30.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi listën e gjyqtarëve pjesëmarrës dhe aktiviteteve, lidhur me trajnimin vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, për periudhën janar-mars 2020.

Në funksion të paketës së rregullave për vlerësimin profesional të gjyqtarëve Këshilli miratoi udhëzuesin mbi mënyrën e plotësimit të tabelave me të dhëna statistikore të punës së gjyqtarëve.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli miratoi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020 – 2021.

Gjithashtu në përfundim Këshilli shqyrtoi edhe kërkesat e disa gjykatave të vendit për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në këto gjykata.